| ← 2Corinthians (6/13) → |
| 1. | Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë, |
| 2. | sepse ai thotë: ''Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova''. Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit. |
| 3. | Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë; |
| 4. | por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica, |
| 5. | në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime, |
| 6. | me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur, |
| 7. | me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë, |
| 8. | në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq; |
| 9. | si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë; |
| 10. | si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s'kanë kurrgjë, por kanë gjithçka. |
| 11. | Goja jonë u hap për ju, o Korintas, zemra jonë u bë e gjërë. |
| 12. | Ju nuk jeni ngushtë në ne, por ju jeni të ngushtë në zemrat tuaj. |
| 13. | Por në shkëmbim po ju flas si fëmijve, bëhuni të gjërë edhe ju. |
| 14. | Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç'lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? |
| 15. | Dhe ç'harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç'pjesë ka besimtari me jobesimtarin? |
| 16. | Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ''Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im''. |
| 17. | Prandaj ''dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t'ju pranoj, |
| 18. | dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm''. |
| ← 2Corinthians (6/13) → |