← 2Chronicles (33/36) → |
1. | Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi pesëdhjet e pesë vjet në Jeruzalem. |
2. | Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit. |
3. | Ai rindërtoi vendet e larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar, ngriti altarë për Baalët, bëri Asherimët dhe ra përmbys përpara tërë ushtrisë së qiellit dhe u vu në shërbim të saj. |
4. | Ngriti gjithashtu altarë në shtëpinë e Zotit, për të cilën Zoti kishte thënë: "Emri im do të mbetet përjetë në Jeruzalem". |
5. | Ndërtoi altarë për gjithë ushtrinë e qiellit në të dy oborret e shtëpisë të Zotit. |
6. | I kaloi bijtë e tij nëpër zjarr në luginën e birit të Hinomit; përdori magjinë, shortarinë, dhe shtrigërinë, dhe konsultoi mediumet dhe magjistarët. Bëri plotësisht atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke provokuar zemërimin e tij. |
7. | Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur, idhullin që kishte bërë, në shtëpinë e Perëndisë dhe për të cilën Perëndia i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: "Në këtë shtëpi dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur midis tërë fiseve të Izraelit, do të vë emrin tim përjetë; |
8. | dhe nuk do të bëj që të endet më këmba e Izraelit larg vendit që u kam dhënë etërve të tyre, me kusht që të kujdesen të zbatojnë në praktikë gjithçka që kam urdhëruar, sipas tërë ligjit, statuteve dhe dekreteve të dhëna me anë të Moisiut". |
9. | Por Manasi iu shmang Judës dhe banorët e Jeruzalemit duke i shtyrë të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit. |
10. | Zoti i foli Manasit dhe popullit të tij, por ata nuk ia vurën veshin. |
11. | Atëherë Zoti solli kundër tyre komandantët e ushtrisë së mbretit të Asirisë, që e zunë Manasin me çengela në hundë, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni. |
12. | Kur u gjend në hall, iu lut shumë Zotit, Perëndisë të tij, dhe u përul thellë përpara Perëndisë të etërve të tij. |
13. | Pastaj iu fal dhe iu lut shumë dhe Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jeruzalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manasi njohu që Zoti është Perëndia. |
14. | Pas kësaj, Manasi ndërtoi një mur jashtë qytetit të Davidit, në perëndim të Gihonit, në luginë, deri te porta e peshqve; muri i vinte përreth Ofelit, dhe e bëri shumë të lartë. Pastaj vendosi komandantë ushtarakë në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës. |
15. | Përveç kësaj hoqi nga shtëpia e Zotit perënditë e huaja dhe idhullin, së bashku me të gjithë altarët që kishte ndërtuar mbi malin e shtëpisë të Zotit dhe në Jeruzalem, dhe i hodhi jashtë qytetit. |
16. | Pastaj restauroi altarin e Zotit dhe mbi të ofroi flijime falenderimi dhe lëvdimi, si dhe urdhëroi Judën t'i shërbente Zotit, Perëndisë të Izraelit. |
17. | Megjithatë populli vazhdonte të ofronte flijime në vendet e larta, por vetëm Zotit, Perëndisë të tij. |
18. | Pjesa tjetër e bëmave të Manasit, lutja që i drejtoi Perëndisë të tij dhe fjalët e shikuesve që i folën në emër të Zotit, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit. |
19. | Përkundrazi lutja e tij dhe mënyra si Perëndia e dëgjoi, tërë mëkatet e tij dhe tërë pabesitë e tij, vendet ku ndërtoi vendet e larta dhe ngriti Asherimët dhe shëmbëlltyrat e gdhendura, para se të përulej, janë të shkruara në librin e Hozait. |
20. | Pastaj Manasi pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në shtëpinë e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni. |
21. | Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi dy vjet në Jeruzalem. |
22. | Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte bërë Manasi, ati i tij; në fakt Amoni u ofronte flijime tërë shëmbëlltyrave të gdhendura që kishte bërë i ati, Manasi, dhe u shërbente. |
23. | Ai nuk u përul përpara Zotit, siç ishte përulur Manasi, i ati; Amoni madje mëkatoi gjithnjë e më shumë. |
24. | Pastaj shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë në shtëpinë e tij. |
25. | Por populli i vendit i dënoi me vdekje tërë ata që kishin komplotuar kundër mbretit Amon; pas kësaj populli bëri mbret në vend të tij, të birin, Josia. |
← 2Chronicles (33/36) → |