← 2Chronicles (3/36) → |
1. | Salomoni filloi pastaj ndërtimin e shtëpisë të Zotit, në Jeruzalem mbi malin Moriah, aty ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit të tij, në vendin që Davidi kishte përgatitur në lëmin e Ornanit, Jebuseut. |
2. | Ai filloi të ndërtojë ditën e dytë të muajit të dytë të vitit të katërt të mbretërimit të tij. |
3. | Këto janë përmasat e themeleve që hodhi Salomoni për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë. Gjatësia ishte gjashtëdhjetë kubitë (në kubitë të masës së vjetër) dhe gjerësia njëzet kubitë. |
4. | Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjatësinë e tempullit, dhe ishte i lartë njëqind e njëzet kubitë. Ai e veshi nga brenda me ar të kulluar. |
5. | E veshi sallën e madhe me dru qiparisi, pastaj e veshi me ar të kulluar dhe mbi të gdhendi degë palme dhe zinxhirë të vegjël. |
6. | Përveç kësaj e zbukuroi sallën me gurë të çmuar si ornament; dhe ari ishte ai i Parvaimit. |
7. | Veshi gjithashtu me ar tempullin, trarët, pragjet, muret dhe portat; dhe mbi muret gdhëndi kerubinë. |
8. | Pastaj ndërtoi vendin shumë të shenjtë. Ky ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjerësinë e tempullit, dhe njëzet kubitë i gjerë. E veshi me ar të kulluar me një vlerë prej gjashtëqind talentash. |
9. | Pesha e arit për gozhdat ishte pesëdhjetë sikla. Veshi me ar edhe dhomat e sipërme. |
10. | Në vendin shumë të shenjtë bëri dy kerubinë të gdhëndur dhe i veshi me ar. |
11. | hapësira e krahëve të kerubinëve ishte njëzet kubitë; një krah i një kerubini, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa krahu tjetër, gjithashtu i gjatë pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit të dytë. |
12. | Njeri krah i kerubinit të dytë, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa tjetri i gjatë gjithashtu pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit tjetër. |
13. | Krahët e hapur të këtyre kerubinëve ishin njëzet kubitë të gjatë. Ata qëndronin drejt në këmbë me fytyrë të kthyer nga pjesa e brendshme e tempullit. |
14. | Ai bëri gjithashtu velin me fill ngjyrë vjollcë të purpurt, të kuqe flakë dhe me pëlhurë të hollë, dhe mbi to qëndisën kerubinë. |
15. | Përpara tempullit bëri dy shtylla të larta tridhjetë e pesë kubitë; kapiteli në majë të çdo shtylle ishte pesë kubitë. |
16. | Bëri gjithashtu zinxhira të vegjël, si ato që ishin në shenjtërore dhe i vendosi në majë të shtyllave; pastaj bëri një mijë shegë dhe i vuri mbi zinxhirët e vegjël. |
17. | Pastaj ngriti shtyllat përpara tempullit, njerën në të djathtë dhe tjetrën në të majtë; të djathtën e quajti Jakin dhe të majtën Boaz. |
← 2Chronicles (3/36) → |