← 2Chronicles (14/36) → |
1. | Pastaj Abijahun pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa. Në kohën e tij vendi qe i qetë dhjetë vjet. |
2. | Asa bëri atë që ishtë e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij. |
3. | Ai hoqi nga vendi altarët e perëndive të huaj dhe vendet e larta, shkatërroi shtyllat e shenjta dhe i bëri copë-copë Asherimët. |
4. | Përveç kësaj urdhëroi Judën të kërkojë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, dhe të zbatojë në praktikë ligjin dhe urdhërimet. |
5. | Hoqi gjithashtu nga të gjitha qytetet e Judës vendet e larta dhe idhujt; dhe me të mbretëria njohu një periudhë qetësie. |
6. | Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë, sepse vendi ishte i qetë. Në ato vite nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Zoti i kishte dhënë qetësi. |
7. | Ai u thoshte atyre të Judës: "Le t'i ndërtojmë këto qytete dhe t'i rrethojmë me mure, me kulla, me porta dhe shufra. Vendi është akoma në dispozicionin tonë, sepse kemi kërkuar Zotin, Perëndinë tonë; ne e kemi kërkuar dhe ai na ka dhënë paqe rreth e qark". Kështu ata iu vunë ndërtimit dhe u begatuan. |
8. | Asa kishte një ushtri prej treqindmijë njerëzish nga Juda që mbanin ushta dhe mburoja, si dhe dyqind e tetëdhjetë mijë nga Beniamini që mbanin mburoja dhe gjuanin me hark; tërë këta ishin burra të fortë dhe trima. |
9. | Kundër tyre doli Zerahu, Etiopasi, me një ushtri prej një milion burrash dhe me treqind qerre dhe arriti deri në Mareshah. |
10. | Asa doli atëherë kundër tij dhe u vendosën në rend beteje në luginën e Tsefathahut pranë Mareshahut. |
11. | Atëherë Asa i klithi Zotit, Perëndisë të tij, dhe tha: "O Zot, nuk ka njeri veç teje që mund të ndihmojë në luftimet midis një të fuqishmi dhe atij që i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Perëndia ynë, sepse ne mbështetemi te ti dhe dalim kundër kësaj shumice në emrin tënd. O Zot, ti je Perëndia ynë; mos lejo që njeriu të ta kalojë ty!". |
12. | Kështu Zoti goditi Etiopasit përpara Asas dhe përpara Judës, dhe Etiopasit ua mbathën këmbëve. |
13. | Atëherë Asa dhe njerëzit që ishin me të i ndoqën deri në Gherar. Prandaj Etiopasit u mundën, prej tyre nuk mbeti asnjë i gjallë, sepse ata u shkatërruan përpara Zotit dhe ushtrisë së tij. Dhe ata morën një plaçkë shumë të madhe. |
14. | Pastaj sulmuan tërë qytetet rreth e qark Gherarit, sepse tmeri i Zotit i kishte zënë, dhe ata plaçkitën tërë qytetet në të cilat kishte plaçkë të madhe. |
15. | Sulmuan gjithashtu vathët e bagëtive dhe morën me vete një numër të madh dhensh dhe devesh. Pastaj u kthyen në Jeruzalem. |
← 2Chronicles (14/36) → |