← 2Chronicles (10/36) → |
1. | Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur në Sikem për ta bërë mbret. |
2. | Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte akoma në Egjipt ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), Jeroboami u kthye nga Egjipti. |
3. | Prandaj dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë Izraeli erdhën t'i flasin Roboamit dhe i thanë: |
4. | "Ati yt e ka bërë zgjedhën tonë të rëndë; tani ti lehtësoje robërinë e fortë të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që ai na ka imponuar, dhe ne do të të shërbejmë". |
5. | Ai u përgjigj kështu: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh". Pastaj populli iku. |
6. | Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe i tha: "Çfarë më këshilloni t'i them këtij populli?". |
7. | Ata i folën duke thënë: "Në rast se tregohesh dashamirës me këtë popull dhe e kënaq, duke u dhënë atyre një përgjigje të favorshme, ata do të jenë shërbëtorë të tu përgjithmon". |
8. | Por Roboami hodhi poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë dhe u konsultua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij, |
9. | dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli që më foli duke thënë: "Lehtësoje zgjedhën e vënë nga ati yt?"". |
10. | Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të i folën, duke thënë: "Kështu do t'i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke thënë: "Ati yt e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani lehtësoje atë". Kështu do t'u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë se sa ijet e atit tim; |
11. | prandaj në qoftë se ati im ju ka vënë një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik"". |
12. | Pas tri ditëve, Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh". |
13. | Mbreti iu përgjigj atyre rëndë: kështu mbreti Roboam, duke hedhur poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë, |
14. | u foli atyre sipas këshillës së dhënë nga të rinjtë, duke thënë: "Ati im e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj, por unë do ta bëj edhe më të rëndë; ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik". |
15. | Kështu mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse zhvillimi i ngjarjeve varej nga Perëndia, me qëllim që Zoti ta çonte në vend fjalën e tij, që ia kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shilohu. |
16. | Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Çfarë pjese kemi ne nga Davidi? Nuk kemi asnjë trashëgimi nga biri i Isait! Secili në çadrën e vet, o Izrael! Tani kujdesohu për shtëpinë tënde, o David!". Kështu tërë Izraeli shkoi në çadrat e veta. |
17. | Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetin e Judës mbretëroi Roboami. |
18. | Mbreti Roboam dërgoi Hadoramin, të ngarkuarin me haraçet, por bijtë e Izraelit e vranë me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam u shpejtua të hipë mbi një qerre për të ikur me vrap në Jeruzalem. |
19. | Kështu Izraeli ka qenë rebel ndaj shtëpisë së Davidit deri ditën e sotme. |
← 2Chronicles (10/36) → |