← 1Samuel (7/31) → |
1. | Atëherë njerëzit e Kiriath-Jearimit erdhën, e çuan lart arkën e Zotit dhe e vendosën në shtëpinë e Abinadadit në kodër, dhe shenjtëruan të birin Eleazarin që të ruante arkën e Zotit. |
2. | Shumë kohë kishte kaluar nga dita që arka ishte vendosur në Kiriath-Jearim; kishin kaluar njëzet vjet dhe tërë shtëpia e Izraelit i ankohej Zotit. |
3. | Atëherë Samueli i foli tërë shtëpisë së Izraelit, duke thënë: "Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarithin dhe mbani zemrën tuaj tek Zoti dhe |
4. | Kështu bijtë e Izraelit hoqën mënjanë Baalët dhe Ashtarothët dhe i shërbyen vetëm Zotit. |
5. | Pastaj Samueli tha: "Mblidhni tërë Izraelin në Mitspah dhe unë do t'i lutem Zotit për ju". |
6. | Kështu ata u mblodhën në Mitspah, morën ujë dhe e derdhën përpara Zotit; pastaj po atë ditë agjëruan dhe atje thanë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit". Samueli i gjykoi bijtë e Izraelit në Mitspah. |
7. | Kur Filistejtë mësuan që bijtë e Izraelit ishin mbledhur në Mitspah, princat e Filistejve u nisën kundër Izraelit. Kur bijtë e Izraelit dëgjuan këtë patën frikë nga Filistejtë. |
8. | Atëherë bijtë e Izraelit i thanë Samuelit: "Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që ai të na shpëtojë nga duart e Filistejve". |
9. | Kështu Samueli mori një qengj pirës dhe e ofroi tërësisht si olokaust Zotit; Samueli i thirri Zotit për Izraelin dhe Zoti ia plotësoi kërkesën. |
10. | Ndërsa Samueli ofronte olokaustin, Filistejtë u afruan për të sulmuar Izraelin; por Zoti bubulloi me buçimë të madhe kundër Filistejve dhe i ngatërroi deri në atë pikë sa u mundën para Izraelit. |
11. | Njerëzit e Izraelit dolën nga Mitspahu, i ndoqën Filistejtë dhe i mundën deri poshtë Beth-Karit. |
12. | Atherë Samueli mori një gur e ngriti midis Mitspahut dhe Shenit dhe e quajti Eben-Ezer, duke thënë: "Deri këtu Zoti na ka ndihmuar". |
13. | Kështu Filistejtë u poshtëruan dhe nuk u kthyen më të shkelin territorin e Izraelit; dhe dora e Zotit u ngrit kundër Filistejve gjatë gjithë kohës së Samuelit. |
14. | Edhe qytetet që Filistejtë i kishin marrë Izraelit iu kthyen Izraelit, nga Ekroni deri në Gath. Izraeli çliroi territorin e tij nga duart e Filistejve. Dhe u vendos paqja midis Izraelit dhe Amorejve. |
15. | Samueli qe gjykatës i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij. |
16. | Çdo vit ai i binte përqark Bethelit, Gilgalit dhe Mitspahut dhe ushtronte funksionin e gjyqtarit të Izraelit mbi tërë këto vende. |
17. | Pastaj kthehej në Ramah, sepse aty ishte shtëpia e tij. Aty e gjykonte Izraelin dhe po aty ngriti një altar për Zotin. |
← 1Samuel (7/31) → |