← 1Samuel (31/31) |
1. | Filistejtë u ndeshën me Izraelin dhe Izraelitët ua mbathën para Filistejve, dhe ranë të vrarë në malin Gilboa. |
2. | Filistejtë ndoqën me furi Saulin dhe bijtë e tij; kështu Filistejtë vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuahun, bij të Saulit. |
3. | Beteja u ashpërsua kundër Saulit; harkëtarët e arritën dhe ai u plagos rëndë prej tyre. |
4. | Sauli i tha shërbëtorëve të tij: "Nxirre shpatën tënde dhe më shpo me të; të mos vinë këta të parrethprerë të më shpojnë dhe të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta kryejë këtë veprim, sepse e kishte zënë një frikë e madhe. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të. |
5. | Kur shqyrtari pa se Sauli kishte vdekur, edhe ai u hosh mbi shpatën e vet dhe vdiq me të. |
6. | Kështu po atë ditë vdiqën bashkë Sauli, tre bijtë e tij, shqyrtari dhe tërë njerëzit e tij. |
7. | Kur Izraelitët që ndodheshin matanë luginës dhe matanë Jordanit panë që njerëzit e Izraelit ua kishin mbathur me vrap dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, braktisën qytetet dhe ua mbathën. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën aty. |
8. | Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe tre bijtë e tij të rënë në malin Gilboa. |
9. | I prenë kokën Saulit, e zhveshën nga armatimi i tij dhe dërguan lajmëtarë në tërë vendin e Filistejve për ta çuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe popullit. |
10. | E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e Ashtarothit dhe e varën kufomën e tij në muret e Beth-Shanit. |
11. | Por kur banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit, |
12. | tërë njerëzit trima u ngritën, ecën tërë natën dhe hoqën nga muret e Beth-Shanit kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij; pastaj u kthyen në Jabesh dhe këtu i dogjën ato. |
13. | Pastaj muarrën kockat e tyre, i varrosën poshtë marinës në Jabesh dhe agjëruan shtatë ditë me radhë. |
← 1Samuel (31/31) |