| ← 1Samuel (18/31) → |
| 1. | Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet. |
| 2. | Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij. |
| 3. | Kështu Jonathani lidhi një besölidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet. |
| 4. | Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij. |
| 5. | Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit. |
| 6. | Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e Filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore. |
| 7. | Kështu gratë u përgjigjeshin njera tjetrës duke kënduar, dhe thoshnin: "Sauli vrau mijëshn e tij dhe Davidi dhjetëmijëshn e tij. |
| 8. | Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: "Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!". |
| 9. | Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin. |
| 10. | Të nesërmen një frym i keq nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën. |
| 11. | Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: "Do ta gozhdoj Davidin në mur!". Por Davidi iu shmang goditjes dy herë. |
| 12. | Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin. |
| 13. | Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit. |
| 14. | Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të. |
| 15. | Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij; |
| 16. | por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre. |
| 17. | Pastaj Sauli i tha Davidit: "Ja Merabi, bija ime më e madhe; do të ta jap për grua; u bëfsh për mua një bir trim dhe març pjesë në betejat e Zotit". Sauli mendonte kështu: "Të mos jetë dora ime ta godasë, por dora e Filisejve". |
| 18. | Por Davidi iu përgjegj Saulit: "Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?". |
| 19. | Kur erdhi çasti për t'ia dhënë Davidit Merabin, bijën e Saulit, atë ia dhanë për grua Meholathitit Adriel. |
| 20. | Por Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin; këtë ia njoftuan Saulit dhe kjo gjë i pëlqeu. |
| 21. | Kështu Sauli mendoi: "Do t'ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e Filistejve". |
| 22. | Pas kësaj Sauli i urdhëroi shërbëtorët e tij: "Bisedoni fshehurazi me Davidin dhe i thoni: "Ja, mbreti ështëi kënaqur nga ti dhe të gjithë shërbëtorët e tij të duan, prandaj bëhu dhëndri i mbretit". |
| 23. | Shërbëtorët e Saulit ia çuan këto fjalë Davidit. Por Davidi u përgjegj: "Ju duket gjë e vogël të bëhesh dhëndri i mbretit?. Unë jam një njeri i varfër dhe nga shtresë e ulët". |
| 24. | Shërbëtorët i njoftuan Saulit: "Davidi u përgjegj në këtë mënyrë". |
| 25. | Atëherë Sauli tha: "Do t'i thoni kështu Davidit: "Mbreti nuk dëshëron asnjë prikë, por njëqind lafsha të Filisejve për t'u hakmarrë me armiqtë e mbretit"". Sauli kurdiste komplote për të shkaktuar vdekjen e Davidit me anë të Filistejve. |
| 26. | Kur shërbëtorët i njoftuan Davidit këto fjalë, Davidit iu duk gjë e mirë të bëhej dhëndër i mbretit. Ditët e caktuara nuk kishin kaluar akoma, |
| 27. | kur Davidi u ngrit dhe iku me njerëzit e tij, dhe vrau dyqind veta nga Filistejtë. Pastaj Davidi solli lafshat e tyre dhe dorëzoi mbretit këtë sasi të saktë për t'u bërë dhëndër i tij. Atëherë Sauli i dha të bijën Mikal për grua. |
| 28. | Kështu Sauli e pa dhe e kuptoi që Zoti ishte me Davidin; dhe Mikal, bija e Saulit, e donte. |
| 29. | Sauli pati edhe më tepër frikë nga Davidi dhe mbeti armiku i tij gjatë gjithë ditëve që jetoi. |
| 30. | Pastaj princat e Filistejve dolën për të luftuar por, sa herë që dilnin, Davidi ia dilte më mirë se të gjithë shërbëtorët e Saulit; kështu emri i tij u bë shumë i famshëm. |
| ← 1Samuel (18/31) → |