1Samuel (1/31) → |
1. | Ishte një njeri nga Ramathaim-Tsofini, nga zona malore e Efraimit, që quhej Elkanah; ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut dhe bir i Efraimitit Tsuf. |
2. | Ai kishte dy gra: e para quhej Ana dhe tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte. |
3. | Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t'i ofruar flijime Zotit të ushtërive në Shiloh, ku gjendeshin dy bijtë e Efraimit, Hofni dhe Finehasi, priftërinj të Zotit. |
4. | Kur i vinte dita Elkanahut të ofronte flijimin, ai kishte zakon t'u jepte pjesën që u takonte gruas së tij Penina dhe pjesët gjithë bijve dhe bijave të tij; |
5. | por Anës i jepte një pjesë të dyfishtë, sepse e donte Anën, megjithëse Zoti ia kishte mbyllur barkun. |
6. | Por shemra e saj e ngacmonte vazhdimisht për ta zëmëruar, sepse Zoti ia kishte mbyllur barkun. |
7. | Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më. |
8. | Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?". |
9. | Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit. |
10. | Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë. |
11. | Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t'i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t'ja jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij". |
12. | Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj. |
13. | Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur. |
14. | Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!". |
15. | Por Ana u përgjegj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frym dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit. |
16. | Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qënë dhëmbja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani". |
17. | Atëherë Eli iu përgjegj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove". |
18. | Ajo u përgjegj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar. |
19. | Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të. |
20. | Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit". |
21. | Atëherë burri i saj Elkanahu u ngjit me gjithë familjen e tij për t'i ofruar Zotit flijimin vjetor dhe për të plotësuar kushtin e lidhur. |
22. | Por Ana nuk u ngjit, sepse i tha burrit të saj: "Unë nuk do të ngjitem deri sa fëmija të jetë zvjerdhur; atëherë do ta çoj me qëllim që ta paraqes para Zotit dhe të mbetet pranë tij për gjithnjë". |
23. | Burri i saj, Elkanahu, iu përgjegj: "Bëj si të të duket më mirë; qëndro deri sa të të jetë zvjerdhur, mjaft që Zoti ta mbajë fjalën!". Kështu gruaja mbeti në shtëpi dhe i dha gji birit të saj deri sa ky u zvordh. |
24. | Mbasi e zvordhi e mori me vete, bashkë me tri dema të vegjël, një efë mielli dhe një calik verë; dhe i çoi në shtëpinë e Zotit në Shiloh. Djali ishte akoma shumë i vogël. |
25. | Pastaj ata flijuan një dem dhe ia çuan djalin Elit. |
26. | Ana i tha: "Imzot! Ashtu siç është e vërtetë që jeton shpirti yt, o imzot, unë jam ajo grua që rrinte këtu, afër teje, dhe i lutej Zotit. |
27. | Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar. |
28. | Prandaj edhe unë ia fal Zotit; deri sa të rrojë, ai do t'i kushtohet Zotit". Dhe aty ranë përmbys para Zotit. |
1Samuel (1/31) → |