| ← 1Kings (4/22) → |
| 1. | Mbreti Salomon mbretëronte mbi tërë Izraelin. |
| 2. | Këta ishin funksionarët e tij të lartë: Azariahu, bir i priftit Tsadok, |
| 3. | Elihorefi dhe Ahijahu, bij të Shishas, ishin sekretarë; Jozafati, bir i Ahiludit, ishte kancelier; |
| 4. | Benajahu, bir i Jehojadit, ishte komandant i ushtrisë; Tsadoku dhe Abiathari ishin priftërinjtë; |
| 5. | Azariahu, bir i Nathanit, ishte kryetar i prefektëve; Zabudi, bir i Nathanit, ishte prift dhe këshilltar personal i mbretit. |
| 6. | Ahishari ishte maxhordom dhe Adinorami, bir i Abdas, ishte caktuar për haraçet. |
| 7. | Salomoni kishte dymbëdhjetë prefektë në të gjithë Izraelin, të cilët kujdeseshin për mbajtjen e mbretit dhe të shtëpisë së tij; secili prej tyre ishte ngarkuar për tu kujdesur për një muaj në vit. |
| 8. | Këto janë emrat e tyre: Ben-Hur në krahinën malore të Efraimit; |
| 9. | Ben-Dekjer në Makats, Shaalbim, Beth-Shemesh dhe Elon të Beth-Hananit; |
| 10. | Ben-Hesed në Aruboth; Sokothi dhe tërë vendi i Heferit ishin pronë e tij; |
| 11. | Ben-Abinabadi, në gjithë krahinën e Dorit; Tafatha, bijë e Salomonit, ishte gruaja e tij; |
| 12. | Baana, bir i Ahiludit, kishte Taanakun, Megidon dhe tërë Beth-Shenin, që është pranë Tsarethanit, poshtë Jizreelit, dhe që shtrihet nga Beth-Sheani deri në Abel-Meholahu dhe matanë Jokneamit. |
| 13. | Ben-Geber, në Ramoth të Galaadit, kishte fshatrat e Jairit, birit të Manasit, në Galaad, si edhe Argobin në Bashan, gjashtëdhjetë qytete të mëdha me mure dhe shule prej bronzi; |
| 14. | Ahinadabi, bir i Idos, në Mahanaim; |
| 15. | Ahimatsi, në Neftali; edhe ai kishte për grua Basmethin, një nga bijat e Salomonit; |
| 16. | Banahun, bir i Hushait, në Asher dhe në Aloth; |
| 17. | Jozafati, bir i Parnahut, në Isakar; |
| 18. | Shimei, bir i Elahut, në Beniamin; |
| 19. | Geberi, bir i Urit, në vendin e Galaadit, në vendin e Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe të Ogut, mbretit të Bashanit; ai ishte i vetmi prefekt që ishte në vend. |
| 20. | Juda dhe Izraeli ishin të shumtë si rëra që është në bregun e detit. Ata hanin dhe pinin me gaz. |
| 21. | Kështu Salomoni sundone mbi gjithë mbretërinë nga Lumi deri në vendin e Filistejve dhe në kufijtë e Egjiptit. Këta i sillnin haraçe dhe i shërbyen tërë ditët e jetës së tij. |
| 22. | Furnizimi ditor i ushqimeve për Salomonin përbëhej nga tridhjetë kore lule dielli dhe gjashtëdhjetë kore mielli të zakonshëm, |
| 23. | dhjetë qe të majmë, njëzet qe të kullotës dhe njëqind dele pa llogaritur drerët, gazelat, kapronjtë dhe shpendët e majmë. |
| 24. | Ai sundonte gjithë vendin nga kjo anë e Lumit, nga Tifsahu deri në Gaza, mbi tërë mbretërit nga kjo anë e Lumit, dhe jetonte në paqe me të gjithë shtetet kufitare që ishin rreth e qark. |
| 25. | Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni. |
| 26. | Salomoni kishte gjithashtu dyzet mijë stalla kuajsh për qerret e tij dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. |
| 27. | Këta prefektë, secili në muajin e tij, merreshin me mbajtjen e mbretit Salomon dhe të gjithë atyre që pranoheshin në tryezën e tij; dhe nuk linin t'u mungonte asgjë. |
| 28. | Sillnin edhe elbin dhe kashtën për kuajt dhe mushkat në vendin e duhur, secili sipas urdhrave që kishte marrë. |
| 29. | Perëndia i dha Salomonit dituri, zgjuarsi të madhe dhe një mëndje të hollë si rëra që është në bregun e detit. |
| 30. | Dhe dituria e Salomonit ia kaloi diturisë të të gjithë bijve të Lindjes dhe tërë diturisë të Egjiptasve. |
| 31. | Ai ishte më i ditur se çdo njeri tjetër: më tepër se Ezrahiti Ethan; më tepër se Hemani, se Kakoli dhe se Darda, bijtë e Maholit; dhe fama e tij u përhap në të gjitha kombet e afërta. |
| 32. | Shqiptoi tre mijë proverba dhe kantikët e tij qenë një mijë e pesëqind. |
| 33. | Foli edhe për drurët, nga kedri i Libanit deri në isopin që mbin nga muri; foli gjithashtu për kafshët, për zogjtë, për rrëshqanorët dhe për peshqit. |
| 34. | Nga të gjithë popujt vinin njerëz për të dëgjuar diturinë e Salomonit; ata ishin të dërguar nga tërë mbretërit e dheut që kishin dëgjuar të flitej për diturinë e tij. |
| ← 1Kings (4/22) → |