← 1Kings (20/22) → |
1. | Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, mblodhi tërë ushtrinë e tij; me të ishin tridhjetë e dy mbretër me kuaj dhe qerre; pastaj u nis, rrethoi Samarinë dhe e sulmoi. |
2. | Pastaj i dërgoi lajmëtarë në qytet Ashabit, mbretit të Izraelit, për t'i thënë: |
3. | "Kështu thotë Ben-Hadadi: "Argjendi dhe ari yt janë të mitë, po kështu bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu më të mirë janë të mitë"". |
4. | Mbreti i Izraelit u përgjigj: "Éshtë ashtu si thua ti, o mbret, o imzot; unë dhe tërë ato që kam jemi të tutë". |
5. | Lajmëtarët e kthyen përsëri dhe thanë: "Kështu flet Ben-Hadadi: "Unë të çova fjalë se duhet të më japësh argjendin dhe arin tënd, gratë e tua dhe bijtë e tu; |
6. | por nesër, në këtë orë, do të dërgoj te ti shërbëtorët e mi, të cilët do të bastisin shtëpinë tënde dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tu; ata do të marrin të gjitha gjërat që janë me të shtrenjta për ty"". |
7. | Atëherë mbreti i Izraelit thirri tërë pleqtë e vendit dhe u tha: "Shikoni, ju lutem, se si ky njeri kërkon shkatërrimin tonë, sepse më ka dërguar të kërkojë gratë e mia dhe bijtë e mi, argjendin dhe arin tim, dhe unë nuk i kam refuzuar asgjë". |
8. | Tërë pleqtë dhe tërë populli thanë: "Mos e dëgjo dhe mos prano". |
9. | Ashabi iu përgjigj pastaj lajmëtarëve të Ben-Hadadit: "I thoni mbretit, zotit time: "Të gjitha gjërat që i kërkove shërbëtorit tënd herën e parë do t'i bëj, por këtë nuk mund ta bëj"". Kështu lajmëtarët shkuan t'i njoftojnë përgjigjen Ben-Hadadit. |
10. | Atëherë Ben-Hadadi i çoi fjalë Ashabit: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq në rast se pluhuri i Samarisë do të mjaftojë që të mbushin grushtat tërë njerëzit që më pasojnë!". |
11. | Mbreti i Izraelit u përgjigj: "I thoni: "Ai që ka armaturën në trup të mos lavdërohet si ai që e heq"". |
12. | Kur Ben-Hadadi mori këtë përgjigje, ai ndodhej bashkë me mbretërit duke pirë në çadrat, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Bëhuni gati për mësymje!". Kështu ata u përgatitën për të sulmuar qytetin. |
13. | Por ja që një profet iu afrua Ashabit, mbretit të Izraelit, dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "E shikon këtë turmë të madhe? Ja, që sot unë do ta lë në dorën tënde dhe kështu do të mësosh që unë jam Zoti"". |
14. | Ashabi i tha: "Me anë të kujt?". Ai u përgjigj: "Kështu thotë Zoti: "Me anë të të rinjve në shërbim të krerëve të krahinave"". Ashabi tha: Kush do ta fillojë betejën?". Profeti u përgjigj: "Ti". |
15. | Atëherë Ashabi kaloi në revistë të rinjtë që ishin në shërbim të krerëve të krahinave; ata ishin dyqind e tridhjetë e dy veta. Pastaj kaloi në revistë tërë popullin, tërë bijtë e Izraelit; ishin shtatë mijë veta. |
16. | Në mesditë bënë një dalje, ndërsa Ben-Hadadi ishte duke pirë dhe duke u dehur bashkë me tridhjetë e dy mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë. |
17. | Të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën të parët. Ben-Hadadi dërgoi njerëz për të parë dhe ata i njoftuan: "Nga Samaria kanë dalë disa njerëz". |
18. | Mbreti tha: "Në rast se kanë dalë me qëllime paqësore, i zini të gjallë; në qoftë se kanë dalë për të luftuar, i zini gjithashtu të gjallë". |
19. | Kështu të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën nga qyteti bashkë me ushtrinë që i pasonte, |
20. | dhe secili prej tyre vrau nga një njeri. Kështu Sirët ua mbathën këmbëve dhe Izraelitët i ndoqën; dhe Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, iku me kalë bashkë me disa kalorës. |
21. | Edhe mbreti i Izraelit mori pjesë në luftimet, shkatërroi kuaj dhe qerre dhe u shkaktoi Sirëve një disfatë të madhe. |
22. | Atëherë profeti iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: "Shko, përforcohu dhe mendo mirë atë që duhet të bësh, sepse mbas një viti mbreti i Sirisë do të të sulmojë". |
23. | Shërbëtorët e mbretit të Sirisë i thanë: "Perëndia i tyre është Perëndia i maleve; prandaj ata qenë më të fortë se ne; por në rast se ndeshemi në fushë, ne do të jemi me siguri më të fortë. |
24. | Prandaj vepro kështu: tërë mbretërve hiqua komandën që kanë dhe në vend të tyre cakto kapedanë. |
25. | Mblidh një ushtri baras me atë që ke humbur, me po aq kuaj dhe qerre; pastaj do të ndeshemi në fushë dhe me siguri do të jemi më të fortë se ata". Ai pranoi këshillën e tyre dhe veproi ashtu siç i thanë. |
26. | Pas një viti Ben-Hadadi kaloi në revistë Sirët dhe doli në drejtim të Afekut për të luftuar Izraelin. |
27. | Edhe bijtë e Izraelit u thirrën për t'u mbledhur dhe u furnizuan me ushqime; pastaj u nisën kundër Sirëve dhe ngritën kampin e tyre përballë tyre; dukeshin si dy kope të vogla dhish, ndërsa Sirët e kishin mbushur vendin. |
28. | Atëherë një njeri i Perëndisë iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "Me qenë se Sirët kanë thënë: Zoti është Perëndia i maleve dhe nuk është Perëndia i luginave unë do të jap në duart e tua tërë këtë mizëri të madhe; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti"". |
29. | Shtatë ditë me radhë qëndruan në kampet e tyre njeri përballë tjetrit, por ditën e shtatë filloi beteja dhe bijtë e Izraelit vranë brenda një dite të vetme njëqind mijë këmbësorë sirë. |
30. | Ata që shpëtuan ikën në qytetin e Afekut, ku muret ranë mbi njëzet e shtatë mijë prej tyre. Edhe Ben-Hadadi iku dhe shkoi në qytet përt'u fshehur në një dhomë të brendshme. |
31. | Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, kemi dëgjuar të thuhet që mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë zemërbutë; prandaj të veshim thasë dhe të vëmë litarë në qafë dhe të dalim të presim mbretin e Izraelit; ndofta ai ka për të na lënë të gjallë". |
32. | Kështu ata u veshën me thasë dhe vunë litarë në qafë, shkuan te mbreti i Izraelit dhe i thanë: "Shërbëtori yt Ben-Hadadi thotë: "Të lutem, lërmë të gjallë"". Ashabi u përgjigj: "Éshtë ende gjallë? Ai është vëllai im". |
33. | Këta njerëz e muarrën këtë si shenjë të mbarë dhe nxituan të kërkonin vërtetimin e kësaj thënie, duke thënë: "Ben-Hadadi është, pra, vëllai yt!". Ai u përgjigj: "Shkoni ta merrni". Kështu Ben-Hadadi shkoi te Ashabi, që e hipi në qerren e tij. |
34. | Atëherë Ben-Hadadi i tha: "Unë do të të kthej qytetet që ati im i hoqi atit tënd; dhe kështu ti do të vendosësh tregje në Damask, ashtu si kishte bërë im atë në Samari". Ashabi i tha: "Me këtë kusht do të të lë të ikësh"; kështu Ashabi lidhi një besëlidhje me të dhe e la të ikë. |
35. | Atëherë një nga bijtë e profetëve i tha shokut të tij me urdhër të Zotit: "Më godit!". Por ky nuk pranoi ta godasë. |
36. | Atëherë i pari i tha: "Me qenë se nuk iu binde zërit të Zotit, sapo të largohesh nga unë një luan do të të vrasë". Kështu, me t'u larguar nga ai, doli një luan dhe e vrau. |
37. | Pastaj profeti gjeti një njeri dhe i tha: "Më godit!". Ky e rrahu dhe e plagosi. |
38. | Atëherë profeti shkoi ta presë mbretin në rrugë, duke u maskuar me një rryp pëlhure mbi sytë. |
39. | Kur po kalonte mbreti, i thirri dhe i tha: "Shërbëtori yt u fut në mes të betejës, kur dikush u tërhoq mënjanë dhe më solli një njeri, duke më thënë: "Ruaje këtë njeri; në rast se vritet, do ta paguash me jetën tënde ose do të paguash një talent argjendi". |
40. | Ndërsa shërbëtori yt ishte i zënë sa andej e këtej, ai person u zhduk". Mbreti i Izraelit i tha: "Ja vendimi yt; e ke shqiptuar ti vetë". |
41. | Atëherë ai hoqi me nxitim nga sytë rripin e përlhurës dhe mbreti i Izraelit e pa që ishte një nga profetët. |
42. | Pastaj profeti i tha mbretit: "Kështu thotë Zoti: "Me qenë se e le të të shpëtojë nga dora njeriun që kisha caktuar të shfarosej, jeta jote ka për tu paguar për të tijën dhe populli yt për popullin e tij". |
43. | Kështu mbreti i Izraelit u kthye në shtëpinë e tij i hidhëruar dhe i zemëruar, dhe shkoi në Samari. |
← 1Kings (20/22) → |