← 1Kings (16/22) → |
1. | Pastaj fjala e Zotit iu drejtua Jehuhit, birit të Hananit, kundër Baashas, duke thënë: |
2. | "Të kam ngritur nga pluhuri dhe të kam bërë princ të popullit tim Izraelit, por ti ke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe ke bërë të mëkatojë popullin tim të Izraelit, duke provokuar zemërimin tim me mëkatet e tij; |
3. | prandaj do të zhduk Baashan dhe shtëpinë e tij dhe do ta bëj me shtëpinë tënde atë që kam bërë me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit. |
4. | Ata të Baashas që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë, dhe ata që do të vdesin në ara do t'i hanë shpendët e qiellit". |
5. | Pjesa tjetër e bëmave dhe të trimërive a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
6. | Pastaj Baashan e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Tirtsah. Në vend të tij mbretëroi i biri, Elahu. |
7. | Përveç kësaj fjala e Zotit iu drejtua me anë të profetit Jehu, birit të Hananit, kundër Baashas dhe kundër shtëpisë së tij për gjithë të këqijat që Baasha kishte bërë në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij me veprat e kryera nga dora e tij, duke u bërë si shtëpia e Jeroboamit, edhe sepse e kishte vrarë atë. |
8. | Në vitin e njëzet e gjashtë të Asas, mbretit të Judës, Elahu, bir i Baashas, filloi të mbretëroj mbi Izraelin në Tirtsah dhe qëndroi në fron dy vjet. |
9. | Zimri, shërbëtori i tij, komandant i gjysmës së qerreve të tij, komplotoi kundër tij. Ndërsa ai ndodhej në Tirtsah, duke pirë dhe duke u dehur në shtëpinë e Artsas, prefektit të pallatit të Tirtsahut, |
10. | Zimri hyri, e goditi dhe e vrau në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij. |
11. | Kur filloi të mbretërojë, sapo u ul në fron, shkatërroi tërë shtëpinë e Baashas; nuk la të gjallë as edhe një mashkull midis kushërinjve të afërt të tij dhe miqve. |
12. | Kështu Zimri shfarosi tërë shtëpinë e Baashas, sipas fjalës së Zotit të drejtuar kundër Baashas me anë të profetit Jehu, |
13. | për shkak të mëkateve të Baashas dhe të mëkateve të birit të tij Elah, që ata vetë kishin kryer dhe që kishin bërë t'i kryente Izraeli, duke nxitur zemërmin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tyre. |
14. | Pjesa tjetër e bëmave të Elahut dhe tërë atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
15. | Në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, Zimri mbretëroi shtatë ditë në Tirtsah. Populli kishte fushuar kundër Gibethonit, që u përkiste Filistejve. |
16. | Kështu populli që kishte ngritur kampin dëgjoi të thuhet: "Zimri ka komplotuar, madje ka vrarë mbretin!". Po atë ditë në kamp tërë Izraeli bëri mbret të Izraelit, Omrin, komandantin e ushtrisë. |
17. | Pastaj Omri u nis nga Gibethoni dhe rrethoi Tirtsahun. |
18. | Kur Zimri pa që qyteti ishte pushtuar, u tërhoq në kullën e pallatit mbretëror, i vuri zjarrin pallatit mbretëror që ndodhej mbi të dhe kështu vdiq, |
19. | për shkak të mëkateve që kishte kryer, duke bërë aë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe duke kryer mëkatin që ky kishte bërë duke e nxitur Izraelin të mëkatojë. |
20. | Pjesa tjetër e bëmave të Zimrit dhe komploti që ai thuri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
21. | Atëherë populli i Izraelit u nda në dy pjesë: gjysma e popullit shkonte pas Tibnit, birit të Ginathit, për ta bërë mbret; gjysma tjetër shkonte pas Omrit. |
22. | Por populli që shkonte pas Omrit pati epërsi mbi popullin që ndiqte Tibnin, birin e Ginathit. Tibni vdiq dhe mbretëroi Omri. |
23. | Në vitin e tridhjetë e njëtë të Asas, mbretit të Judës, Omri filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet. Gjashtë vjet mbretëroi në Tirtsah, |
24. | pastaj bleu nga Shemeri malin e Samarisë për dy talentë argjendi; ndërtoi në mal një qyetet të cilin e quajti Samaria, nga emri i Shemerit, zotëria i malit. |
25. | Omri bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u suall më keq se të gjithë paraardhësit e tij; |
26. | ndoqi tërësisht rrugën e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe mëkatet që ky kishte detyruar Izraelin t'i kryejë, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tij. |
27. | Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Omri dhe trimëritë e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? |
28. | Pastaj Omrin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashabi. |
29. | Ashabi, bir i Omrit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në vitin e tridhjetë e tetë të Asas, mbretit të Judës; dhe Ashabi, bir i Omrit, mbretëroi në Samari mbi Izraelin njëzet e dy vjet. |
30. | Ashabi, bir i Omrit bëri ato gjëra që shihen me sy të keq nga Zoti më tepër se ata që e kishin paraprirë. |
31. | Përveç kësaj, sikur të ishte për të një gjë e vogël ndjekja e mëkateve të Jeroboamit; birit të Nebatit mori për grua Jezebelën, bijën e Ethbaalit, mbretit të Sidonitëve, dhe shkoi t'i shërbejë Baalit dhe të bjerë përmbys para tij. |
32. | I ngriti pastaj një altar Baalit, në tempullin e Baalit, që kishte ndërtuar në Samari. |
33. | Ashabi bëri edhe një Asherah; Ashabi provokoi zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, më tepër se gjithë etërit e Izraelit që e kishin paraprirë. |
34. | Gjatë ditëve të sundimit të tij, Hieli nga Betheli rindërtoi Jerikon; hodhi themelet e tij mbi Abiramin, të parëlindurin e tij, dhe ngriti portat mbi Segubin, më të riun nga bijtë e tij, sipas fjalës që Zoti kishte thënë me anë të Jozueut, birit të Nunit. |
← 1Kings (16/22) → |