← 1Kings (10/22) → |
1. | Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për diturinë e Salomonit për shkak të emrit të Zotit, erdhi ta vërë në provë me anë pyetjesh të vështira. |
2. | Ajo arriti në Jeruzalem me një suitë shumë të madhe, me deve të ngarkuara me aroma dhe me një sasi të madhe ari dhe gurësh të çmuara; pastaj shkoi te Salomoni dhe i foli atij për të gjitha gjërat që kishte në zemër. |
3. | Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asgjë që të ishte e fshehtë për mbretin dhe që ky të mos ishte në gjendje ta shpjegonte. |
4. | Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë diturinë e Salomonit, shtëpinë që ai kishte ndërtuar, |
5. | gjellët e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamarierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti pa fjalë. |
6. | Pastaj i tha mbretit: "Ishte e vërtetë, pra, ajo që kisha dëgjuar në vendin tim për fjalët e tua dhe diturinë tënde. |
7. | Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa nuk erdha vetë dhe nuk i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, as gjysmën e tyre nuk më kishin thënë. Dituria dhe begatia jote tejkalojnë famën për të cilën me kishin folur. |
8. | Lum njerëzit e tu, lum shërbëtorët e tu që rrinë gjithnjë përpara teje dhe dëgjojnë diturinë tënde! |
9. | Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që pati mirësinë të të vërë mbi fronin e Izraelit! Për shkak të dashurisë së tij të përjetshme për Izraelin, Zoti të ka vënë mbret për të ushtruar arsyen dhe drejtësinë". |
10. | Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talente ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk u çuan më aq aroma sa i dha mbretëresha Sheba mbretit Salomon. |
11. | (Flota e Hiramit që transporon flori nga Ofiri, solli që andej një sasi të madhe dru santali dhe gurësh të çmuar; |
12. | me durin e santalit mbreti bëri mbështetëse për shtëpinë e Perëndisë dhe për pallatin mbretëror si edhe qeste dhe harpa për këngëtarët. Dru santali nuk sollën më dhe nuk është parë më deri më sot). |
13. | Mbreti Salomon i dha mbretëreshës Sheba të gjitha gjërat që ajo i kërkoi; përveç këtyre, Salomoni i dhe asaj shumë gjëra me bujarinë e tij të madhe mbretërore. Pastaj ajo mori përsëri rrugën dhe u kthye në vendin e saj bashkë me shërbëtorët e vet. |
14. | Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talent ari, |
15. | përveç atij që vinte nga tregtarët, nga lëvizja e mallrave, nga gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit. |
16. | Mbreti Salomon dha urdhër të përgatiteshin dyqind mburoja të mëdha me flori të rrahur, duke përdorur për secilin prej tyre gjashtëqind sikla ari, |
17. | dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre tri mina ari; mbreti i vendosi në pallatin e "Pyllit të Libanit". |
18. | Gjithashtu mbreti bëri një fron të madh prej fildishi të veshur me ar të kulluar. |
19. | Froni kishte shtatë shkallëza dhe maja e tij ishte e rrumbullakët në pjesën e prapme; kishte dy krahë në anët e karriges dhe pranë dy krahëve rrinin dy luanë. |
20. | Dymbëdhjetë luanë qëndronin në të dy skajet e gjashtë shkallareve. Asnjë gjë e tillë nuk ishte bërë në ndonjë mbretëri. |
21. | Të gjitha kupat e pijeve të mbretit Salomon ishin prej ari, dhe të gjitha kupat e pallatit "Pylli i Libanit" ishin prej ari të kulluar. Asnjëra nuk ishte prej argjendi, sepse në kohën e Salomonit argjendi nuk vlente asgjë. |
22. | Në fakt mbreti kishte në det Flotën e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit; çdo tre vjet flota e Tarshishit sillte ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj. |
23. | Kështu mbreti Salomon ua kaloi në pasuri dhe dituri tërë mbretërve të tokës. |
24. | Dhe tëtë bota kërkonte praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia kishte vënë në zemrën e tij. |
25. | Dhe secili sillte dhuratën e tij: enë argjendi, enë ari, veshje, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një farë sasie çdo vit. |
26. | Salomoni grumbulloi qerre dhe kalorës; ai pati një mijë e katërqind qerre dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i ndau nëpër qytetet sipas qerreve dhe në Jeruzalem afër tij. |
27. | Përveç kësaj mbreti në Jeruzalem e bëri argjendin të rëndonte si gurët dhe i bëri kedrat të shumtë si fiku egjiptian i fushës. |
28. | Kuajt e Salomonit importoheshin nga Egjipti dhe nga Kue; tregtarët e mbretit shkonin e i merrnin në Kue me një çmim të caktuar. |
29. | Një qerre importohej nga Egjipti për gjashtëqind sikla argjendi dhe një kalë njëqind e pesëdhjetë. Kështu, me anë të këtyre tregtarëve, ua eksportonin gjithë mbretërve të Hitejve dhe mbretërve të Sirisë. |
← 1Kings (10/22) → |