1Kings (1/22) → |
1. | Tani mbreti David ishte plak dhe i shtyrë në moshë dhe, megjithëse e mbulonin me rroba, nuk ngrohej dot. |
2. | Prandaj shërbëtorët e tij thanë: "Të kërkohet për mbretin, zotërinë tonë, një vajzë e virgjër që ta ndihmojë atë, të kujdeset për të dhe të flerë mbi gjirin e tij; kështu mbreti, zotëria jonë, do të mund të ngrohet. |
3. | Atëherë kërkuan në të gjithë territorin e Izraelit një vajzë të bukur dhe gjetën Abishagin, Shunamiten, dhe e çuan te mbreti. |
4. | Vajza ishte shumë e bukur, kujdesej për mbretin dhe i shërbente; por mbreti nuk e njohu. |
5. | Adonijahut, birit të Hagithit, i qe rritur mendja, dhe thoshte: "Do të jem unë mbret!". Dhe gjeti qerre, kalorës dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij. |
6. | (I ati i tij nuk e kishte qortuar kurrë në jetën e tij, duke i thënë: "Pse bën kështu?". Edhe Adonijahu ishte shumë i bukur dhe kishte lindur mbas Absalomit). |
7. | Ai u mor vesh me Joabin, birin e Tserujahut, dhe me priftin Abiathar, të cilët i vajtën pas Adonijahut dhe e ndihmuan. |
8. | Por prifti Tsadok, Benajathi, bir i Jehojadit, profeti Nathan, Shimei, Rei dhe trimat e Davidit nuk ishin me Adonijahun. |
9. | Adonijahu flijoi dele, qe dhe viça të majmë pranë shkëmbit të Zoheletit, që ndodhet afër kroit të Rogelit dhe ftoi të gjithë vëllezërit e tij, bij të mbretit, dhe të gjithë njerëzit e Judës që ishin në shërbim të mbretit. |
10. | Por nuk ftoi profetin Nathan, as Banajahun, as trimat, as Salomonin, vëllanë e tij. |
11. | Atëherë Nathani i foli Bath-Shebës, nënës së Salomonit, dhe i tha: "Nuk ke dëgjuar që Adonijahu, bir i Hagithit, është bërë mbret, dhe Davidi, zotëria ynë, nuk e di aspak? |
12. | Prandaj më lejo të të jap një këshillë, që të shpëtosh jetën tënde dhe atë të birit tënd, Salomonit. |
13. | Shko, hyr te mbreti David dhe i thuaj: "O mbret, o imzot, a nuk i je betuar vallë shërbëtores sate duke thënë: Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim? Pse, pra, u bë mbret Adonijahu?". |
14. | Pastaj, ndërsa ti do të jesh akoma duke folur me mbretin, unë do të hyj pas teje dhe do të mbështes fjalët e tua". |
15. | Kështu Bath-Sheba hyri në dhomën e mbretit. (Mbreti ishte shumë plak dhe shërbehej nga Shunamitja, Abishagai). |
16. | Bath-Sheba u përul dhe ra përmbys përpara mbretit. Mbreti i tha: "Çfarë do?". |
17. | Ajo iu përgjigj: "O imzot, ti i je betuar shërbëtores sate në emër të Zotit, Perëndisë tënd, duke thënë: "Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim". |
18. | Tani përkundrazi Adonijahu është bërë mbret dhe ti, o mbret, o imzot as nuk e di fare. |
19. | Ai ka flijuar një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh; ka ftuar tërë bijat e mbretit, priftin Abiathar dhe Joabin, komandantin e ushtrisë, por nuk ka ftuar Salomonin, shërbëtorin tënd. |
20. | Tani sytë e tërë Izraelit janë kthyer nga ti o mbret, o imzot, që ti t'u tregosh atyre kush do të ulet në fronin e mbretit, zotit tim, mbas tij. |
21. | Përndryshe ka për të ndodhur që kur mbreti, zotëria ime, do të flerë me gjithë etërit e tij, unë dhe biri im Salomon do të trajtohemi si fajtorë". |
22. | Ndërsa ajo fliste akoma me mbretin, arriti profeti Nathan. |
23. | Atëherë ia njoftuan mbretit ngjarjen, duke thënë: "Ja profeti Nathan!". Ky hyri në prani të mbretit dhe u shtri para tij me fytyrën për tokë. |
24. | Nathani tha: "O mbret, o imzot, ndofta ke thënë: "Adonijahu do të mbretërojë pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim"? |
25. | Në fakt sot ai zbriti dhe flijoi një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh, ftoi tërë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiathar; dhe ja tani ata po hanë e pinë përpara tij dhe thonë: "Rroftë mbreti Adonijah". |
26. | Por ai nuk më ka ftuar mua, shërbëtorin tënd, as priftin Tsadok, as Benajahun, birin e Jehojadit, as Salomonin, shërbëtorin tënd. |
27. | Kjo, a u bë pikërisht nga mbreti, zoti im, pa i njoftuar shërbëtorit tënd kush do të ulet në fronin e mbretit, të zotit tim, mbas tij?". |
28. | Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: "Thirrmëni Bath-Shebën". Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij. |
29. | Mbreti u betua dhe tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi, |
30. | unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: "Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim"". |
31. | Bath-Sheba u përul me fytyrën për tokë, ra përmbys para mbretit dhe tha: "O Zot, bëj që mbreti David të jetojë përjetë!". |
32. | Pastaj mbreti David tha: "Thirrmëni priftin Tsadok, profetin Nathan dhe Benajahun, birin e Jehojadit". Ata erdhën në prani të mbretit. |
33. | Mbreti u tha atyre: "Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon. |
34. | Atje prifti Tsadok dhe profeti Nathan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj i bini borisë dhe thoni: "Rroftë mbreti Salomon!". |
35. | Do të shkoni, pra, pas tij dhe ai do të vijë të ulet mbi fronin tim dhe do të mbretërojë në vendin tim, sepse e kam bërë princ të Izraelit dhe të Judës". |
36. | Benajahu, bir i Jehojadit, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Amen! Kjo është edhe dëshira e Zotit, Perëndisë së mbretit zotit tim! |
37. | Ashtu si ka qenë Zoti me mbretin, zotin tim, kështu qoftë me Salomonin dhe e bëftë fronin tim më të madh se froni i mbretit David, i zotit tim!". |
38. | Atëherë prifti Tsadok, profeti Nathan, Benajahu, bir i Jehojadit, Kerethejtë dhe Pelethejtë, dolën e hipën Salomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e çuan në Gihon. |
39. | Prifti Tsadok mori bririn e vajit nga tabernakulli dhe vajosi Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe tërë populli tha: "Rroftë mbreti Salomon!". |
40. | Pastaj tërë populli shkoi pas tij, duke u rënë fyejve dhe duke ndjerë një gëzim të madh aq sa toka dukej se po çohej nga brohoritjet e tyre. |
41. | Adonijahu dhe tërë të ftuarit e tij, ndërsa po mbaronin së ngrëni, dëgjuan zhurmë; dhe kur Joabi dëgjoi zërin e borisë, ai tha: "Ç'është kjo zhurmë e madhe që vjen nga qyteti?". |
42. | Ndërsa vazhdonte të fliste, ja që arriti Jonathani, bir i priftit Abiathar. Adonijahu i tha: "Hyr, ti je një trim dhe me siguri sjell lajme të mira". |
43. | Jonathani iu përgjigj Adonijahut dhe tha: "Aspak! Mbret Davidi, zoti ynë, bëri mbret Salomonin. |
44. | Ai nisi me të priftin Tsadok, profetin Nathan, Benajahun, birin e Jehojadës, Kerethejtë dhe Pelethejtë, që e hipën mbi mushkën e mbretit. |
45. | Kështu prifti Tsadok dhe profeti Nathan e vajosën mbret në Gibon, dhe që andej janë nisur të gjithë tërë gëzim dhe tërë qyteti po zien. Kjo është zhurma që keni dëgjuar. |
46. | Përveç kësaj Salomoni është ulur në fronin e mbetërisë. |
47. | Dhe shërbëtorët e mbretit kanë vajtur të urojnë mbretin David, zotërinë tonë, duke thënë: "Perëndia yt e bëftë emrin e Salomonit më të lavdishëm se yti dhe e bëftë fronin e tij më të madh se yti!". Pastaj mbreti ra përmbys mbi shtrat, |
48. | dhe tha gjithashtu: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot uli një njeri mbi fronin tim, duke u lejuar syve të mi ta shikojnë"". |
49. | Atëherë tërë të ftuarve të Adonijahut u hyri tmerri, ata u ngritën dhe ikën secili në rrugën e tij. |
50. | Adonijahu, duke pasur frikë nga Salomoni, u ngrit dhe shkoi të kapet në brirët e altarit. |
51. | Këtë ia thanë Salomonit: "Ja, Adonijahu ka frikë nga mbreti Salomon dhe është kapur te brirët e altarit, duke thënë: "Mbreti Salomon të më betohet sot që nuk do ta bëjë të vdesë nga shpata shërbëtorin e tij"". |
52. | Salomoni u përgjigj: "Në qoftë se tregohet njeri i drejtë, nuk do t'i bjerë në tokë as edhe një fije floku, por në rast se tek ai gjendet ndonjë ligësi, ai ka për të vdekur". |
53. | Kështu mbreti Salomon dërgoi njerëz ta zbrisnin nga altari. Ai erdhi pastaj të bjerë përmbys përpara mbretit Salomon dhe ky i tha: "Shko në shtëpinë tënde". |
1Kings (1/22) → |