← 1Corinthians (10/16) → |
1. | Sepse, o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos edini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det, |
2. | dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det, |
3. | të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror, |
4. | dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti. |
5. | Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë. |
6. | Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata, |
7. | dhe që të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: ''Populli u ul që të hajë dhe të pijë, dhe u ngrit për të luajtur''. |
8. | Dhe të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë. |
9. | Dhe të mos e tundojmë Krishtin, ashtu si e tunduan disa nga ata dhe u vranë nga gjarpërinjtë. |
10. | Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi. |
11. | Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shëmbull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët. |
12. | Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë. |
13. | Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t'ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t'ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni. |
14. | Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria. |
15. | Po ju flas si të mënçur, gjykojeni ju atë që them: |
16. | kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit? |
17. | Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë. |
18. | Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit? |
19. | Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka? |
20. | Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët. |
21. | Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve. |
22. | A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai? |
23. | Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka është dobishme; gjithçka më lejohet, por jo çdo gjë ndërton. |
24. | Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit. |
25. | Hani çdo gjë që shitet te kasapi, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes, |
26. | sepse ''toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban''. |
27. | Dhe në qoftë se ndonjë jobesimtar ju fton dhe ju doni të shkoni, hani çdo gjë që t'u vihet përpara, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes. |
28. | Por në qoftë se dikush ju thotë: ''Kjo është nga flijim idhujsh'', mos hani, për atë që ju paralajmëroi dhe për shkak të ndërgjegjes, sepse ''toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban''. |
29. | Dhe them ndërgjegje, por jo tënden, por të tjetrit. Sepse përse të gjykohet liria ime nga ndërgjegja e një tjetri? |
30. | Në qoftë se unë marr pjesë me falenderim, pse të shahem për atë gjë, për të cilin falenderoj? |
31. | Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t'i bëni për lavdinë e Perëndisë. |
32. | Mos u bëni shkak skandali as për Judenj, as për Grekë, as për kishën e Perëndisë; |
33. | sikurse edhe unë vetë përpiqem t'u pëlqej të gjithëve në çdo gjë, nuk kërkoj përfitimin tim, por të të shumtëve, që të shpëtohen. |
← 1Corinthians (10/16) → |