← 1Chronicles (18/29) → |
1. | Mbas këtyre ngjarjeve, Davidi mundi Filistejtë dhe i poshtëroi, duke u hequr nga dora Gathin dhe fshatrat përreth tij. |
2. | Ai mundi gjithashtu Moabitët; dhe Moabitët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit. |
3. | Davidi mundi përveç tyre Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, deri në Hamath, ndërsa ai shkonte për të vendosur sundimin e tij gjatë lumit Eufrat. |
4. | Davidi i mori një mijë qerre, i kapi shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi preu gjithashtu kërcinjtë e tërë kuajve, por kurseu mjaft për njëqind qerre. |
5. | Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadarezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë Sirë. |
6. | Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut, dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe haraçpagues të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që ai shkonte. |
7. | Davidi mori mburojat e arta që shërbëtorët e Hadarezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem. |
8. | Davidi mori edhe një sasi të madhe bronzi në Tibhath dhe në Kun, qytete të Hadarezerit. Me të Salomoni ndërtoi detin prej bronzi, shtyllat dhe veglat prej bronzi. |
9. | Kur Tou, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadarezerit, mbretit të Tsobahut, |
10. | i dërgoi mbretit David Hadoramin, birin e tij, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse kishte luftuar kundër Hadarezerit dhe e kishte mundur (Hadarezeri ishte gjithnjë në luftë me Toun); dhe Hadorami pruri me vete lloj-lloj enësh ari, argjendi dhe bronzi. |
11. | Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu si kishte bërë me argjendin dhe me arin që u kishte marrë tërë kombeve, domethënë Edomitëve, Moabitëve, Amonitëve, Filistejve dhe Amalekitëve. |
12. | Përveç kësaj Abishai, bir i Tserujahut, mundi tetëmbëdhjetë mijë Edomitë në luginën e Kripës. |
13. | Vendosi garnizone edhe në Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që shkonte. |
14. | Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke shqiptuar gjykime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij. |
15. | Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafati, bir i Ahikudit, ishte arkivist; |
16. | Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Abimeleku, bir i Abiatharit, ishin priftërinj; Shavsha ishte sekretar; |
17. | Benajahu, bir i Jehojadait, ishte kryetar i Kerethejve dhe i Pelethejve; bijtë e Davidit ishin të parët në krah të mbretit. |
← 1Chronicles (18/29) → |