← 1Chronicles (17/29) → |
1. | Ndodhi që Davidi, mbasi u vendos në shtëpinë e vet, i tha profetit Nathan: "Ja, unë banoj në një shtëpi prej kedri, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit ndodhet nën një çadër". |
2. | Nathani iu përgjegj Davidit: "Bëj të gjitha ato që ke në zemër, sepse Perëndia është me ty". |
3. | Por po atë natë fjala e Perëndisë iu drejtua Nathanit, duke i thënë: |
4. | "Shko t'i thuash shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti: Nuk do të jesh ti ai që do të më ndërtojë një shtëpi në të cilën unë të mund të banoj. |
5. | Në fakt nuk kam banuar kurrë në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë Izraelin nga Egjipti deri më sot; por kam shkuar nga një çadër te tjetra dhe nga një banesë te tjetra. |
6. | Kudo kam shkuar me gjithë Izraelin, a i kam folur vallë ndonjerit prej gjyqtarëve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të ushqenin popullin tim, duke thënë: "Pse nuk më ndërtoni një shtëpi me dru kedri?". |
7. | Tani do t'i flasësh kështu shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të mora nga vatha, kur po shkoje pas deleve, dhe të bëra princ mbi popullin tim, Izraelin. |
8. | kam qenë me ty kudo ku ke vajtur, kam shfarosur përpara teje tërë armiqtë e tu dhe e kam bërë emrin tënd si atë të njerëzve të mëdhenj që janë mbi dhe. |
9. | Përveç kësaj do t'i jap popullit tim të Izraelit një vend ku të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e lëvizin më, dhe të këqijtë të mos vazhdojnë ta shkretojnë si më parë, |
10. | qysh prej kohës që kam vendosur gjyqtarët mbi popullin tim të Izraelit. Do të poshtëroj edhe tërë armiqtë e tu. Të njoftoj gjithashtu që Zoti do të të ndërtojë një shtëpi. |
11. | Kur të mbushen ditët e tua dhe të shkosh të bashkohesh me etërit e tu, unë do të nxjerrë një pasardhësin tënd, që do të jetë një nga bijtë e tu, dhe do ta konsolidoj mbretërinë e tij. |
12. | Ai do të më ndërtojë një shtëpi dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e tij përgjithnjë. |
13. | Unë do të jem për të një atë dhe ai për mua një bir; dhe nuk do t'ia heq përkrahjen time ashtu siç ia kam hequr atij që të ka paraprirë. |
14. | Unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë në shtëpinë time dhe në mbretërinë time, dhe froni i tij do të jetë i qëndrueshëm gjithnjë"". |
15. | Nathani i foli Davidit duke përdorur tërë këto fjalë dhe sipas gjithë vizionit të tij. |
16. | Atëherë mbreti David hyri, u ul përballë Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot Perëndi, ç'është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu? |
17. | Megjithatë kjo t'u duk një gjë e vogël para syve të tu, o Perëndi; ti fole edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët dhe më konsiderove sikur të isha një njeri i rangut të lartë, o Zot Perëndi. |
18. | Çfarë mund të thotë akoma Davidi për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh në të vërtetë shërbëtorin tënd. |
19. | O Zot, për dashurinë e shërbëtorit tënd dhe sipas zemrës sate, ti ke kryer gjithë këto vepra të fuqishme për t'i bërë të njohura tërë këto gjëra të mëdha. |
20. | O Zot, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, sipas tërë ato që kemi dëgjuar me veshët tona. |
21. | Dhe kush është si populli yt i Izraelit, i vetmi komb mbi tokë që Perëndia erdhi për ta çliruar dhe për ta bërë popullin e tij, për të të dhënë një emër me gjëra të mëdha dhe të tmerrshme, duke i dëbuar kombet përpara popullit tënd që ti ke çliruar nga Egjipti? |
22. | Ti e ke bërë popullin e Izraelit popullin tënd për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tyre. |
23. | Prandaj fjala që ke shqiptuar, o Zot, përsa i përket shërbëtorit tënd dhe shtëpisë së tij, të ruajë vlerën e saj për gjithnjë! Bëj siç ke thënë! |
24. | Po, të mbetet e vlefshme, me qëllim që emri yt të shkëlqejë për gjithnjë dhe të kemi mundësinë të themi: "Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është me të vërtetë Perëndia për Izraelin"; dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje! |
25. | Ti vetë, o Perëndia im, i ke treguar shërbëtorit tënd se do t'i ndërtoje një shtëpi. Prandaj shërbëtori yt pati guximin të lutet në praninë tënde. |
26. | Dhe tani, o Zot, ti je Perëndia dhe i ke premtuar këtë të mirë shërbëtorit tënd. |
27. | Ndërkaq le të të pëlqejë të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, me qëllim që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse atë që bekon ti, o Zot, është e bekuar për gjithnjë". |
← 1Chronicles (17/29) → |